|
Kinemaja shqiptare
Nga Abaz T. Hoxha
Inxhinier, pedagog, shkrimtar, publicist e përkthyes, historian i kinemasë.
Shqiptarët nga të parët në Ballkan e më gjërë, përvehtësuan artin e fotografisë- vetëm 12-15 vjet pas lindjes së saj- dhe një plejadë e tërë fotografësh të shquar që bënë zë në Evropë e në botë si Marubët, Kolë Idromeno, Gjon Mili etj. Shqiptarët Janaq dhe Milto Manaqi u bënë pishtarët e kinematografisë në Ballkan duke xhiruar filma vetëm 10 vjet /1905/ pas shpikjes të këtij arti të magjishëm dhe sugjestionues. Nga radhët e shqiptarëve, me origjinë të afërt ose të largët, kanë dalë edhe një numur i konsiderushëm regjisorësh, aktorësh të teatrit dhe kinematografisë, producentësh dhe veteranësh të kinemasë që kanë ndërtuar dhe drejtuar me dhjetra kinema në trevat shqiptare dhe ballkanike. Nga 5 regjisorët më të mëdhenj të kinematografisë greke 3 janë arvanitas me origjinë Niko Konduri, Jorgo Xhavella dhe Pandeli Vulgaris. Në radhët e shumë aktorëve të njohur Grekë me origjinë shqiptare gjejmë figura të tilla madhore si Melina Mërkuri, Irene Papas, Eli Lambeti, Stefan Stratigo, Jani Argjiri, Orest Makri, Dhespo (Dhespina) Diamanti, Kosta Karajani, Kleopatra Rota, Pandeli Zerva etj., të cilët i kanë dhënë vlera të spikatura kinematografisë greke. Midis kineastëve bën pjesë dhe operatori më i njohur dhe me krijimtarinë më të madhe Jorgo Arvaniti. Përmëndëm këtu disa artistë të fushës së kinematografisë, pa folur për figura të tjera të fushës së letërsisë si p, sh, Odhise Eliti, fitues i Çmimit Nobël.
Më lart përmendëm vetëm disa figura të njohura të kinemasë origjina shqiptare e të cilëve dëshmohet nga vetë burimet greke, por kërkime të mëtejshme do të nxirrnin në pah edhe shumë të tjerë. Nga emigrantët shqiptarë në vëndet e tjera mund të përmëndet 12 vjeçarja Elena Qirici e cila, deri më sot, mund të konsiderohet aktorja e parë shqiptare e kinemasë, Mihallaq Mone, regjisori i parë shqiptar i kinemasë, vëllezërit Belushi që bënë një revolucion në komedinë dhe TV amerikan duke u çmuar si nga aktorët më të shquar në botë, regjisori dhe producenti Sten Asllan Dragoti, ose regjisori dokumentalist nga Kërçova, Ramazan Ajdini, i nderuar me disa çmime në Amerikë, superylli amerikan Sandra Bullock e deri aktorja më e re me origjinë shqiptare Eliza Dushku, këngëtari dhe aktori i madh i kinemasë rumune Kristaq Antoniu , Bekim Fehmiu, pa folur këtu për Aleksandër Moisiun, figurën madhore të teatrit gjerman dhe botëror.
Xhirimi i filmave në Shqipëri filloi që nga viti 1902-1903 kur të dërguarit e shoqërisë Angleze “Charls Urban Company” filluan xhirimet e para në trojet Shqiptare dhe në Ballkanin Perëndimor të cilat i vazhduan deri në vitet 1912-1913 gjatë Luftrave ballkanike. Ishte një nder i madh për kulturën, artin dhe historinë e Shqipërisë kur krahas kineastëve të lartpërmendur u rreshtuan edhe dy fotografët shqiptarë Janaq dhe Milto Manaqi të cilët u bënë kineastët e parë të trevave ballkanike duke filluar xhirimet nga viti 1905 me filmin e njohur “Tjerrëset” që fiksonte gjyshen 114 vjeçare, nënën dhe gratë e fshatit të tyre të lindjes Avdela duke tjerrë e punuar leshin. Po këto ishin arsyet që edhe shoqëria torineze “Unitas” i filloi xhirimet duke u pagëzuar me ngjarjet e zhvilluara në Shqipëri nëpërmjet të filmit të titulluar “Albania ribelle” /Shqipëria ngre krye/ që në vitin 1909. Pas tyre vazhduan xhirimet kineastët e shoqërisë franceze të “Albert Kahn”, “Pathe”, “Gaumont”, “Éclair”, shoqëritë italiane “Aquila”, “Savoia”, “Comerio” dhe “Luce”, ata të shoqërive austriake “Sascha Filmfabrik” dhe “Wiener Autorenfilm”, shoqëritë kinematografike gjermane “UFA”,”KabinetFilm” /Munich/,”Olimpia Werberfilm”, “Optima-film GmbH Film Vertrieb”, shoqëria Zvicerane “Rich”, “Kurt Thorman-Film” e belgjikës, shoqëri holandeze e hungareze e deri te shoqëritë amerikane “The March of Time”, “Paramount”, “Fox Movietone News” etj…
Mbas vitit 1945 shteti shqiptar i kushtoi vëmëndje të veçantë zhvillimit të kinematografisë duke e vlerësuar atë si një mjet të fuqishëm të propagandës për përhapjen e ideologjisë së re dhe për të shmangur sado pak depërtimin e ideologjive dhe rrymave kundërshtare, për të plotësuar sadopak boshllëkun e krijuar nga izolimi gradual dhe i plotë i vëndit nga kultura, arti dhe progresi botëror. Ky nuk ishte thjesht një fenomen shqiptar por karakteristik i sistemeve totalitare dhe megallomane që mohojnë vlerat e kulturës botërore. Kështu bëri regjimi hitlerian në vitin 1932 me djegëjen e leteratyrës së huaj, me pezullimin e plotë të depërtimit të filmave dhe ndjekjen e persekutimin e gjithë aktorëve dhe regjisorëve që nuk kishin prejardhje Ariane. Kështu bëri Musolini me Institutin “Luce” dhe veçanërisht me themelimin e Qëndrës Eksperimentale të Kinematografisë në Romë më 1938. Kështu bëri edhe Stalini i cili, nuk mund të mohohet, i dha një zhvillim të madh kinematografisë sovjetike por që e kishte krejtësisht nën kontrollin e tij të plotë… Kështu edhe shteti totalitar shqiptar i dha rëndësi zgjerimit të kinematografisë dokumentare e artistike duke e vënë totalisht atë nën kontrollin e plotë të tij. U bënë investime të mëdha për një vend të vogël si Shqipëria duke u ngritur një bazë teknike e fuqishme për xhirimin e filmave artistikë si atelierë, ton-atelierë, laboratori i përpunimit të filmave, repartet e montazhit, grimit, kostumerisë, ngritjen e dekoreve, piroteknikës si dhe gjithë reparteve të tjera të prapavijës. Si pasojë prodhimi i filmave u rrit në mënyrë të shpejtë duke arritur kulmin në vitin 1984 kur u xhiruan 14 filma artistikë brënda vitit. Nga viti 1975 filloi edhe realizimi i filmave vizatimore me filmin “Zana dhe Miri” me regjisor e piktor: V.Droboniku që gjithashtu arrijti të prodhojë në vitin 1984, 12-13 filma multiplikativë të teknikave të ndryshme në vit…
Në vitet 80-të kinematografia shqiptare filloi gradualisht t’i shkëputesh kontrollit total dhe hodhi hapat e para në thellimin e realizmit, iu afrua më shumë jetës, njerzve dhe fenomeneve të vërteta jetësore duke nxjerrë në pah se realiteti shqiptar nuk ish “rozë” siç paraqitej në mjetet e propagandës të regjimit në fuqi, por i krimbur me fenomene e shfaqje të helmatisura që po e shpinin vëndin në katastrofë. Prandaj, me të drejtë, disa filma si: Dora e ngrohtë, Njeriu i mirë, Rrethimi i vogël, Hijet që mbeten pas, Të mos heshtësh, Tela për violinë, Rikonstruksioni, Telefoni i një mëngjezi e të tjerë patën një jehonë e pritje të ngrohtë në publik…Prirja e kinematografisë sonë drejt një analize psikologjike pjesërisht u mbështet më mirë me shtjellimin e temave e subjekteve të mëdha me rëndësi kombëtare e historike e jo vetëm me ato të jetës së përditëshme të familjes, qëndrimeve morale, të individit në mjedisin shoqëror e të raporteve etike në shoqëri. Disa filma me tema historike të kohëve të fundit si “ Balada e Kurbinit”, “Vitet e pritjes”, “Muri i gjallë“, “Të paftuarit”, “Kthimi i Ushtrisë së vdekur” e ndonjë tjetër kanë treguar jo vetëm për aftësi krijuese të regjisorëve tanë por edhe për mirëpritjen dhe suksesin që kanë patur ata në spektatorët brenda dhe jashtë vendit duke nxjerrë në pah edhe vlera të mëdha kombëtare…
Një rritje të konsiderueshme pati prodhimi i kinoditarëve dhe i filmave kronikalë e dokumentarë. Ndonse, sidomos në fazën e parë, peshën kryesore specifike e zinin kryesisht filmat kronikalë që u bënin jehonë ngjarjeve politike, e që kishin qëllim propagandistic, si vizitat E.Hoxhës nëpër Shqipëri, Kongreset e Partisë, Rinisë. Gruas, Frontit Demokratik, vizitave të delegacioneve të ndryshme partiake dhe shtetërore nga ish vëndet socialiste dhe të ashtuquajturave parti dhe grupe marksiste leniniste. Por gradualisht u xhiruan edhe një numur i konsiderueshëm filmash për traditat, për shumë figura të shquara të kombit që kishin vepruar brënda dhe jashtë truallit shqiptar në të gjitha fushat si Gj.K. Skënderbeu, Jan Kukuzeli, Onufri, David Selenica, Dora d'Istria, Viktor Eftimiu, Aleksander Moisiu, Fan S.Noli, Karl Gega, Vëllezërit Frashëri, Hasan Tahsini, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Ndre Mjeda, Vangjush Miho, Kolë Idromeno, Tefta Tashko, filma për gjuhën dhe shkollën shqipe, për traditat në lundrim, në punimin e drurit, bakrit, porcelanit, punimin e qylymave, ndërtimin e banesave popullore, shumë filma mbi folklorin e koreografinë, festivalet kombëtare të këngës popullore e muzikës së lehtë, spartakiadat kombëtare dhe veprimtari të ndryshme sportive, kërkime e zbulime arkeologjike etj. Nga viti 1945 deri në 1995 u xhiruan 1006 kinoditarë me rreth 7000 suzhete (ngjarje) dhe rreth 1300 filma kronikalë e dokumentarë të cilat përfaqësojnë një pasuri të madhe kombëtare se pasqyrojnë një epokë, pavarësisht nga trajtimet politike dhe ideologjizimet e kohës që ishin të pashmangëshme në një shtet totalitar.
REGJISORË DHE FILMA
Nga radhët e kineastëve spikatën sidomos personalitetet krijuese të Dh. Anagnostit, V. Gjikës, Xh.Kekos, P. Milkanit, A. Mingës, K.Çashkut, V. Priftit, M.Fejzos etj sikurse dhe të regjisorëve të brezit më të ri Gj. Xhuvani, B. Bisha etj. Në vargun e gjatë të rreth 300 filmave artistikë që u xhiruan në Shqipëri nga viti 1953 e deri në fund të shekullit të kaluar spikatën sidomos filmat e Anagnostit “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, të V. Gjikës: “Rrugë të bardha”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, të P. Milkanit: “Ngadhnjim mbi vdekjen” /bashkë me G. Erebarën/,”Ballë për ballë”/ bashkë me K. Çashkun/, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Zonja nga qyteti”, të K. Çashkut: “Dora e ngrohtë”, “Balada e Kurbinit”, “Kolonel bunker”, të Xh. Kekos: “Beni ecën vetë”, “Kur po xhirohej një film”, “Taulanti kërkon një motër”, të K. Dhamos: “Mëngjeze lufte”, “Nga mezi i errësirës”, “Vendimi”; të V. Priftit: “Udha e shkronjave”, “Flutura në kabinën time”, “Dasma e Sakos”, të A. Mingës: “Agimet e stinës së madhe”, “Unë e dua Erën”, “Porta Eva”, të M. Fejzos “Kapedani”/bashkë me F. Hoshafin/, “Mësonjëtorja”, “Muri i gjallë”, të E. Musliut “ Hijet mbeten pas”,”Vitet e pritjes”, “Rrethi i kujtesës”, të S. Kumbaros: “Koncert në vitin 1936”,”Rrethimi i vogël”, “Vdekja e kalit”, të I. Muçës dhe K. Mitros: “Dimri i fundit”, “Njeriu i mirë”,”Duaje emrin tënd”; të B. Kapexhiut: “Dy herë mat”, “Telefoni i një mëngjezi”; të R. Ljarjes: “Rrugicat që kërkonin diell”/bashkë me S. Kumbaron/, “Kur hapen dyert e jetës”; të S. Pecanit “Të mos heshtësh”, “Shirat e vjeshtës, të B.Bishës: "Zemra e nënës", "Bolero", të Gj. Xhuvanit "Dashuri e fundit", "Funeral business", Slogans të F. Koçit: “Nekrologji”, “Tirana viti zero”e shumë të tjerë të nderuar me çmime të ndryshme në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare të filmave.
Huazuar nga KINEMAJASHQIPTARE
|
|
 |
|